Analize psikodinamike e personazhit te Judit

 

Analize psikodinamike  personazhit te Judit nga vepra “Portraits of a Marriage”

  -  Sandor Marai



     

Unë jam Irena Hysenaj- psikoterapiste, analitike /psikodinamike.

Pasioni im i parë është letërsia  e cila i ka hapur më tej rrugën thellimit drejt  psikologjisë dhe psikoterapisë. Në këtë audio, dua t’ju ftoj në një udhëtim ku letërsia dhe analiza psiko–dinamike takohen. Do të ndalem tek një personazh i Sándor Márai, nga romani Portraits of a Marriage: një figurë që, përtej rrëfimit letrar, do ta shihja si një rast klinik i mundshëm, ku pasionet dhe plagët e hershme  na ftojnë të reflektojmë mbi misteret e psikes.

 

Sándor Márai i lindur në vitin  1900, një nga figurat më të rëndësishme të letërsisë hungareze të shekullit XX i cili pjesën më të madhe të jetës e kaloi në mërgim.

E njoha për herë të parë  Márai-n vite më parë, nga një libër  i quajtur “Embers /Thëngjinjtë”,   botuar për herë të parë në 1942.

Ky roman I shkurtër   tregon në takimin mes dy shokësh të vjetër  pas shumë vitesh ndarjeje. Ky është një  takim ballafaqimi me kujtime që zbardhen, sekrete që zbulohen dhe një reflektim i thellë mbi kohën, tradhtitë, fjalët e pathëna, besimet.

Aty kuptova se Márai nuk ishte vetëm një tregimtar, por një njohës i thellë i shpirtit njerëzor, i aftë të shihte përtej dukjes, I zoti te futej nëpër  skuta ku ndejsi të kundërta si shpresa dhe zhgënjimi, krenaria dhe turpi, bashkëjetojnë.

Kjo më bëri ta kërkoj më tej Márai-n.

Së fundi, pata ne dorë  një tjetër libër tijin : “Portraits of a Marriage” historia e tre personazheve dhe dy martesave. Ajo që më tërhoqi veçanërisht  ishte figura e Judit, shërbyesja e varfër e cila u bë më pas zonjë e kësaj shtëpie te vjetër aristokrate. Judit nuk është  thjesht një grua ambicioze  e këmbëngulëse  por  një shpirt që vuan nga turpi I varferise,  një plagë e vjetër nga e cila nuk shpëtoi dot.

Do te doja ta shihja këtë personazh jo thjesht si një figurë letrare, por  si një rast klinik të mundshëm, dhe ashtu si zakonisht jemi mesuar ta emertojme  nje rast klinik, rastin e Judit do ta quaja ” Një shpirt që nuk ngopet kurrë.

 

Po e filloj  me leximin e një  fragmenti nga libri si me poshtë:  

Le të shkojmë në atë vendin e caktuar, i thosha-  dhe ajo pohonte – po, dakord, të shkojmë,

 Por pastaj, kur ishim tashmë në makinë, pëshpëriste: Ndoshta do të ishte më mirë…,  dhe përmendte një restorant tjetër, që s’ishte as më i mirë e as më elegant se ai që kisha propozuar unë.

Dhe në fund  ne shkonim atje.

Edhe nëse unë porosisja një pjatë për të,   kur ia sillnin në tavolinë ajo e provonte, pastaj e shtynte mënjanë duke thënë: “Ndoshta do të ishte më mirë…”.dhe kamerierët nguteshin t’i sillnin një pjatë tjetër, një pije tjetër.

Ajo kërkonte gjithmonë …diçka tjetër. Donte gjithmonë… të shkonte diku tjetër.

Mendoja se, në thelb të kësaj pakënaqësie të përhershme, fshihej një ndrojtje, frika se nuk do t’ia dilte mbanë te ambjentohej me këtë mënyrë të re jetese, por pak nga pak e kuptova se e ëmbla nuk ishte mjaftueshëm e ëmbël për të dhe e kripura jo mjaftueshëm e kripur.

Edhe një pulë e pjekur për mrekulli, e përgatitur mjeshtërisht nga shefi i një restoranti të shkëlqyer, kishte nxitur tek ajo të njëjtën reagim. Pasi e shtyu pjatën mënjanë, tha me zë të ulët, por të vendosur: “Nuk është mirë. Do të doja diçka tjetër!”.

Edhe pana s’ishte rrahur siç duhet,dhee kafeja nuk ishte kurrë mjaftueshëm e fortë, asnjëherë, askund. Mendoja se bënte teka. “Ja ç’më gjeti”, thoja me vete  

Dhe e vëzhgoja.

 Madje më argëtonin tekat e saj. Por pastaj kuptova se këto teka kishin rrënjë shumë të thella, të cilat unë s’mund t’i ndriçoja. Ato rrënjë nguleshin tek fëmijëria.

Judit luftonte me kujtimet e veta.

 Nganjëherë prekesha kur shihja sa shumë do të donte të ishte më e fortë se kujtimet e saj, si përpiqej t’i shtypte duke i imponuar vetes një disiplinë prej hekuri. Por diçka kishte vërshuar në atë shpirt: Ajo nuk donte asgjë më të mirë, as më të shkëlqyer se ç’i ofroja unë tashmë: ajo donte tjetër… E kupton? Si një i sëmurë rëndë, i cili është i bindur se në një dhomë tjetër do të ndihet më mirë, ose shpreson se diku gjetkë në botë ka një mjek më të zotin se ai që po e mjekon, ose një ilaç më të fuqishëm se ata që ka marrë deri tani.

Ajo donte tjetër, diçka ndryshe.

Nganjëherë më kërkonte falje për këtë. Nuk thoshte asgjë, vetëm më shikonte.... ishin  pikërisht ato  çastet kur  ndjeja   shpirtin e saj krenar dhe të mbushur me mëri: më shponte me sy sikur ta dinte se s’mund të bënte dot gjë; varfëria e saj dhe kujtimet e saj ishin më të forta se ajo.

Ajo  kërkonte tjetër.  Po Çfarë ? Hakmarrje??,.......Gjithçka.!!

Si ishte kjo tjetër?! As vetë ajo nuk e dinte, me siguri . Nuk kishte  hartuar asnjë strategji për këtë qëllim. E dija....., nuk është mirë të permbyset bota nga e cila  ke lindur. Mund të ndodhë një incident në jete, si ky yni,  një takim i papritur, dhe kur një ditë njeriu zgjohet, vështron përreth  dhe ,  befas,  nuk e njeh më boten e re që e rrethon.

Papritur, nuk ka më asgjë që shkon. Dikur  akoma gëzohej me një çokollatë të vogël, ose me një fjongo me ngjyra, ose me çfarëdo dukurie të thjeshtë të jetës – një rreze dielli ose shëndet i mire.

 Pin­te ujë të pastër nga një kupë e çarë dhe gëzohej, sepse uji ishte i freskët dhe i shuan­te etjen.

Në mbrëmje mund te degjonte nje muzikë që vinte nga një shtepi tjetër dhe ndihej gati e lumtur. Shikonte një lule dhe buzëqeshte. Bota, herë pas here, dinte ti ofronte  gëzime të mrekullueshme. Por pastaj ndodh permbysja, dhe  shpirti  humbi qetësinë e vet.

Çfarë  po kerkonte Judit? Në mënyrën e saj, kishte ndërmarrë një lloj lufte klasash kundër meje. Ndoshta as kundër meje si person. Thjesht, unë mishëroja botën për të cilën ajo kishte ndier gjithmonë një dëshirë të pakufishme, një cmirë të dëshpëruar dhe të sëmurë, te e ngjashme me një dalldi dhe ishte   bërë kaq të palumtur, saqë  derdhi mbi mua të gjitha aspiratat e saj, nuk gjeti më paqe.

 Në fillim ishin tekat, shfaqej vazhdimisht  e shqetësuar dhe e pakënaqur. Kthente mbrapsht pjatat, filloi të transferohej nga një dhomë e hotelit në tjetrën. Kërkoi të linte suitën e vogël me banjë dhe pamje nga parku për një tjeter më të madhe, që shihte  nga lumi . Tha,  se kjo ishte “më e qetë”, tamam si një Diva që bën tekat gjatë nje  turneu.

I dëgjoja me buzë në gaz ankesat e saj. Ia plotësoja tekat ,  i kisha dhënë një librezë çeqesh dhe e kisha lutur t’i paguante vetë të gjitha.Per  habinë time të madhe, pas vetëm tre muajsh, banka më njoftoi se llogaria rrjedhëse e konsiderueshme që kisha hapur në emër të Judit tashmë ishte ezauruar. Dollapët e saj u mbushën me një pafundësi gjerash  femërore, fustane shumë të shtrenjta, të zgjedhura me një shije jashtëzakonisht të hollë, por në sasi të madhe krejtësisht të panevojshme. Bënte pazar në atelienë më të mirë të qytetit, pa u menduar shumë, paguante me çeqe  kapela, fustane, bizhuteri, në fillim të thjeshta, pastaj gjithnjë e më të çmuara, duke i përvetësuar të gjitha me një lakmi të jashtëzakonshme, krejtësisht të panatyrshme për kushtet e saj. Dhe shumicën e herëve as nuk i vishte ato që kishte blerë kaq pa kriter.

Vetëm të uriturit hidhen me të njëjtin vrull mbi një tavolinë të shtruar, pa u kujdesur per babezine e tyre saqe as rreziku i pamundesise se  tretjes i nuk i përmban dot.

Asgjë nuk i shkonte për mbarë. Asgjë s’ishte mjaft e ngjyrosur, e ëmbël, e kripur, e ngrohtë, e ftohtë. Ai shpirt kërkonte ende diçka, me lakmi, i kapur nga një ethe e rrëmbyeshme.

 Një ditë u detyrova ta hapja bisedën. Ajo u drodh me forcë, ne nje gjendje gati  shperthimi  maniakal. Ishte e tronditur, rrotulloi syte  sikur të dilte nga një lloj gjendje transi. Shpërtheu në lot.

Qau për ditë të tëra. Pastaj, për një kohë të gjatë, nuk bleu më asgjë. Por atëherë u mbyll sërish në një heshtje të çuditshme. Shikimi i saj humbiste larg, dukej e zhytur në kujtime.

Kjo heshtje më prekte. Vendosa të mos e qortoja kurrë më, të mos doja t’i imponoja asnjë disiplinë..

Analize psikodinamike e personazhit te Sandor Marai

Pas këtij leximi ju ftoj në një analize personologjike, analitike te rastit te Judit. Kjo analizë i përshtatet jo vetem studuesve te psikologjisë por edhe publikut me gjerë.

Fragmenti i sjellë na ofron portretin psikologjik të një gruaje, Judit, e cila në dukje shfaqet kapriçoze, e pakënaqur dhe e pangopur. Por nën sipërfaqen e këtij sjelljeje fshihet një histori e brendshme e shënuar nga mungesa, turpi dhe një plagë e thellë e vetëvlerësimit. Ky është një rast tipik ku leximi psiko-dinamik na ndihmon të shohim përtej sjelljes së dukshme, për të kuptuar strukturat e pavetëdijshme që i japin formë përjetimit të saj.

Pakënaqësia e përhershme si simptomë

Që në rreshtat e parë, Judit del si një figurë që nuk gjen kurrë kënaqësi: restoranti nuk është i duhuri, pjata nuk është mjaftueshëm e mirë, kafeja nuk është kurrë aq e fortë. Çdo zgjedhje duket e papërshtatshme, çdo përvojë shoqërohet nga një “do të ishte më mirë…”

Kjo lëvizje e vazhdueshme drejt diçkaje tjetër, të paqartë dhe të paarritshme, është shprehje e një boshllëku të brendshëm që asnjë objekt real nuk mund ta mbushë.

Në termat psikoanalitikë, kjo sjellje lidhet me fiksimin oral: një fazë zhvillimore ku marrëdhënia me kënaqësinë dhe sigurinë themelore është thyer. Të kërkosh gjithnjë “dicka tjetër” është mënyra për të mbajtur gjallë një shpresë primitive se ekziston diku një objekt i plotë, i përsosur, që do ta shuajë ndjenjën e mungesës.

Kujtimet e  fëmijërisë së varfërisë dhe rrënjët e traumës

Fragmenti i përzgjedhur  na jep një çelës interpretimi: “Kuptova që keto kaprico I kishin rrenjet tek varferia, Judit luftonte me kujtimet e veta”. Kujtimet e varfërisë nuk janë thjesht materiale; ato përfaqësojnë një eksperiencë të hershme të privimit emocional dhe të inferioritetit. Në përpjekjen për të harruar ose shtypur këto kujtime, Judit imponon një disiplinë të hekurt, por sa herë që kufijtë e saj brendshëm çahen, e pavetëdijshmja shpërthen përmes kërkesave kompulsive.

Në këtë kuptim, sjellja e saj është simbolike: ajo nuk do një pjatë tjetër, por një jetë tjetër; nuk kërkon një pallto të re, por një identitet të ri, të pastër nga njollat e turpit dhe mungesës së së kaluarës.

Lufta me objektin dhe hakmarrja e pavetëdijshme

Marrëdhënia me partnerin është e ngarkuar. Ai përfaqëson për të botën e bollëkut dhe sigurinë që dikur i kane munguar. Për këtë arsye, ai nuk është thjesht i dashur, por bëhet një objekt transferencial mbi të cilin projektohet gjithë inati, uria dhe lakmia e grumbulluar. Në fakt, Judit nis “një lloj lufte klasash” kundër tij: jo kundër individit, por kundër simbolit që ai mishëron.

Këtu shfaqet dimensioni i agresionit të pavetëdijshëm: kërkesa e saj e pangopur është një formë hakmarrjeje ndaj privimit të hershëm. Shpenzimet marramendëse, kërkesat absurde, zhgënjimi i vazhdueshëm – të gjitha këto janë mënyra për t’i thënë botës (dhe partnerit që e përfaqëson atë): “Ju më keni mohuar, tani unë do të marr pa masë.”

Nga euforia tek rënia – humori bipolar

Rrëfimi përshkruan cikle të qarta: periudha euforike të blerjeve dhe kërkesave të pakufizuara, pasuar nga momente rëniesh të thella, lotësh dhe heshtjeje. Këto lëkundje mes ekstazës maniake dhe depresionit tregojnë për një personalitet me kufij të brishtë, që nuk arrin të mbajë një gjendje të qëndrueshme.

Në terma psiko-dinamikë, kjo është shenjë e një personaliteti borderline, ku marrëdhënia me objektin është e fragmentuar: “gjiri i mire” dhe “gjiri i keq” alternohen, duke e zhytur individin në luhatje të vazhdueshme mes idealizimit dhe zhgënjimit total.

Turpi, krenaria dhe narcisizmi i lënduar

Në thelb të kësaj figure gjendet një plagë narcisistike. Judit është e përndjekur nga ndjenja e inferioritetit, por e fsheh atë nën një fasadë kërkesash, elegance dhe “kapriçosh prej Dive”. Ky është formim reaktiv (mekanizëm mbrojtes): pas një krenarie të tepruar fshihet një ndjenjë e thellë turpi. Sytë e saj, të mbushur me lot dhe ndjenjë faji “si një hajdute e kapur në flagrancë”, e tradhtojnë plagën e saj të brendshme.

Pra Judit eshte  një shpirt i robëruar nga mungesa

Judit është një figurë që mishëron dramën e mungesës dhe të urisë shpirtërore. Sjellja e saj e pangopur nuk është thjesht kapriço, por një kërkim i dëshpëruar për një objekt të brendshëm që nuk e gjeti kurrë. Ajo kërkon në ushqim, në hotele, në rroba dhe bizhuteri atë që në fakt është munguar në përvojën e hershme: sigurinë, dashurinë, ndjenjën e vlerës.

Nga perspektiva psiko-dinamike, Judit nuk është një grua që do “më shumë”, por një grua që do “tjetër”. Kështu, Judit mbetet e ngecur në ndjesine  e mungesës. Ajo nuk është e shtyrë nga dëshira për ‘më shumë’, ajo kerkon  ‘tjetër’: një jetë tjetër, një VETE tjetër, të cilën as vetë nuk arrin ta përfytyrojë. Ky boshllëk i brendshëm, i pangopur dhe i paqartë, e shtyn vazhdimisht drejt pakënaqësisë, duke e kthyer çdo përvojë në një përballje të re me zhgënjimin.

Nëse  Judit do të ishte një dite në studion tonë te psikoteraipise,  do të kërkohej një qasje analitike , të kujdesshme dhe e qëndrueshme. Thelbi i punës do të ishte ndërtimi i aleancës terapeutike: me historinë e saj të gjatë zhgënjimesh dhe me plagët narcisistike që mbart, ajo do ta projektonte terapistin herë si figurë shpëtimtare, herë si objekt zhgënjimi.

Në këtë marrëdhënie të brishtë, që lëkundet mes idealizimit dhe zhgënjimit, gjëja e parë që shëron nuk është fjala apo interpretimi, por qendrueshmeria e terapistit: gadishmeria e tij të rregullt, toni, pranimi,  besimi.

Në marrëdhënien transferenciale, Judit do të risillte dramën e saj të brendshme: ndjesinë se nuk merr kurrë ‘mjaftueshëm’ nga terapisti, ose vendosjen e tij në rolin e autoritetit që duhet ta kompensojë. Ky lloj transferimi agresiv bëhet pasqyra ku shfaqet lufta e saj e pavetëdijshme me mungesën dhe bollëkun. Pikërisht përmes kësaj dinamike, terapisti ka mundësinë ta ndihmojë të njohë lidhjen mes boshllëkut të hershëm dhe kërkesave të pangopura të së tashmes.

Në këtë rast tekat, kapriçot, fasada e krenarisë – nuk duhen parë thjesht si pengesa, por si një gjuhë e fshehtë. Kur Judit thotë ‘kafja nuk është mjaftueshëm e fortë’, në të vërtetë artikulon një përjetim të brendshëm: ‘asgjë nuk është mjaftueshëm e fortë për të më mbajtur’. Ky përkthim simbolik i sjelljes në gjuhë emocionale është çelësi që e ndihmon të lidhet me boshllëkun e hershëm, me mungesën e dashurisë dhe të sigurisë që ka shënjuar fëmijërinë e saj.

Një hap i mëtejshëm në punën terapeutike është është menaxhimi i impulsivitetit. Blerjet kompulsive funksionojnë si një mburojë maniakale  për të shmangur përplasjen me depresionin. Në hapësirën terapeutike, mundësia nuk është që boshllëku të mbushet menjëherë me një ‘objekt tjetër’, por që ajo të mësojë të qëndrojë pranë asaj ndjenje, ta përballojë dhe ta përpunojë pa e shndërruar menjëherë në veprim.

Nje objektiv tjeter terapeutike eshte Ndjesia e turpit. Përballja me të është thelbësore. Ajo që duket si krenari është, në të vërtetë, një përpjekje për të mbrojtur vetëvlerësimin e thyer; fasada e fortë mban brenda brishtësinë. Vetëm një prani terapeutike që ofron pranueshmëri pa poshtërim mund ta ndihmojë Juditin të zbulojë se ndjeshmëria, ndrojtja dhe lotët nuk e zvogëlojnë, por përkundrazi, e bëjnë më të vërtetë. Në këtë kuptim, terapia nuk synon të zhdukë boshllëkun, por ta bëjë të jetueshëm; jo të fshijë traumën, por ta kthejë në një histori që mund të rrëfehet. Vetëm atëherë Judit mund të kuptojë se ‘tjetra’ që kërkon nuk ndodhet jashtë saj, por është një pjesë e vetes që nuk ka pasur kurrë mundësinë ta përqafojë.

 

“Po e përfundoj këtu analizën e këtij personazhi, duke ju ftuar që, nëse jeni të intriguar, të provoni edhe ju t’u hidhni një sy analitik personazheve të romaneve që keni për zemër. Shpesh, përmes tyre, letërsia na ofron pasqyra të papritura mbi psiken njerëzore dhe mbi vetë jetën tonë.”

 

DETAJE KLINIKE

Paqartësi në ndjenjën e vetvetes dhe rolet e saj-  Kjo tregon difuzion identiteti, pra “unë”-i i saj nuk është i integruar.

Në termat psikodinamikë, ajo nuk ka ndërtuar ende një përfaqësim të qëndrueshëm të vetes; vetëvlerësimi i saj varet nga si ndjehet në raport me tjetrin.

Në situata afektive, kjo paqartësi e shtyn të “shkrifërohet” ose të adoptojë role (p.sh. “ajo e forta”, “ajo e mirë”, “ajo që nuk ka nevojë për askënd”).

Mbrojtje primitive si splitting dhe projeksion - Këtu flitet për mënyrën se si psika e saj përpunon tensionet e brendshme.

Në vend që t’i mbajë bashkë emocionet e kundërta (dashuri/zemërim, afërsi/distancë), ajo i ndan: ose i idealizon njerëzit, ose i nënvlerëson plotësisht.

Në termat psikodinamikë, kjo tregon dështim të integrimit të objekteve të brendshme.

Projeksioni e ndihmon ta zhvendosë ankthin tek tjetri: ajo e ndien që “tjetri” është agresiv, ndërsa në fakt agresiviteti është i saj.

Kontakt i ruajtur me realitetin → Element i rëndësishëm sepse nuk kemi psikoza.

Ajo mund të ketë interpretime subjektive, por e di që janë perceptime, jo fakte.

Në kuptimin psikodinamik: “Ego”-ja është e dobët, por jo e shkatërruar.

Ajo ka vetëdije për realitetin, por në situata stresi humb përkohësisht ekuilibrin.

 

Luhatje afektive dhe reagime ndaj braktisjes → Ky është bërthama afektive e strukturës së saj:

Afërsia zgjon ankth, sepse e lidh me frikën e humbjes ose pushtimit emocional.

Në termat e marrëdhënieve objektuale: ajo përjeton objektin si të paqëndrueshëm, si dikë që mund ta tradhtojë, braktisë ose zhduket kur nuk është prezent.

Kjo gjeneron reagime të forta, shpesh jo proporcionale me realitetin, por të lidhura me kujtime të hershme të varësisë emocionale.

Ndjesi periodike boshllëku dhe pavlefshmërie → Shprehje e mungesës së një objekti të brendshëm të qëndrueshëm.

Në mungesë të një “tjetri” që e përmbush, ajo ndien boshllëk dhe mungesë kuptimi.

Në analizë, ky boshllëk shpesh del si moslidhje midis dëshirës dhe vetëpërceptimit — një ndjenjë ekzistenciale “nuk di kush jam, nuk di çfarë dua”.

 

Në gjuhën e psikoterapisë psikodinamike, mund të thuhet:

Judit paraqet një organizim kufitar të personalitetit, me ego të brishtë, mekanizma primitive mbrojtës (splitting, projekcion), imazh të paqëndrueshëm të vetes dhe marrëdhënie objektuale të paqëndrueshme. Konflikti themelor lidhet me dëshirën për afërsi dhe frikën nga përthithja ose braktisja. Dinamika transferenciale pritet të reflektojë këto polaritete.”

 

Qëllimi terapeutik

Në këtë nivel, qëllimi nuk është “korrigjimi i simptomave”, por forcimi i funksioneve të egos:

Ndërtimi i një imazhi më koherent të vetvetes,

Mësimi për të përballuar ambivalencën (ta dojë dikë edhe kur është i zemëruar),

Integrimi i objekteve të brendshme të ndara,

Krijimi i një ndjenje përkatësie dhe qëllimi personal, sipas modelit Adlerian.

 

 

Comments

Popular posts from this blog

OCD

Ankthi - Crregullimet

Crregullimi Obsesivo- Compulsiv -(OCD)