Wednesday, March 11, 2020


"Dashuria në kohërat e Kolerës"   dhe    “Efekti Dekameron”


Jemi në kohërat e “kolerës “ kur virusi përhapet si një shigjetë e helmatisur që shkaton frike, panik, izolim dhe  në rastin më të keq  kërcënim me jetë.
Kjo situatë gati surreale ndryshon kursin e jetës, ç'fokuson objektivat, shpërqëndron sjelljen, turbullon mendimin dhe emocionin.
Këtë mendoja gjithë këto ditë komunikimesh të vazhdueshme me familjarë të mitë në zonën e rrezikut të lartë në Itali: për këto flitej në bisedat preokupuese me prindët, njerëzit e dashur, miqtë, pacientët.
Komunikim në kohërat e kolerës - Dashuri në kohërat e kolerës.
“Ishte e pashmganshme" - kështu nis rrëfimin e tij Marquez-i për të treguar atë që po ndodhte në brigjet e Karaibeve të Amerikës së Jugut, në fundin e shekullit të XIX: një histori dashurie që sfidon friken, një histori kurajoje, shprese, pritjeje; një dashuriqë nuk njeh kufij, që nuk ka protokolle për t’u ndjekur.
Kështu duhet të jetë: Në këtë kohë “kolereje” kemi nevojë për fjalë Dashurie .
A nuk do të ishte mirë që në fund të cdo broshure informuese mbi Corona Virus: 
“Si të mbrohemi”
"Si të evitojmë infektimin nga tjetri”
“Si të lajme duart”
“Cfarë të pijmë” etj etj etj ... të kishte edhe fjalë dashurie  si:
"Ne të duam ty!"
"Ti je i rëndësishëm për mua!"
"Jemi me ty"
"Të gjithë bashkë jemi më të fortë" !!

Studimet në neuroshkencë tregojnë se ka një lidhje të fortë mes frikës, sistemit neurovegjetativ dhe imunitetit; se sistemi imunitar ndjen forcën e ankthit të izolimit social, ndjenjën e pasigurise dhe përkundrazi lulëzon kur percepton sigurinë, kur ndjen bukurinë, kur mban gjallë ndërveprimin social.
Të folurit mbi friken dëmton trupin dhe shpirtin. Psike është në kontakt të ngushtë me sistemin imunitar dhe mund të influencojë në mënyrën si virusi ndikon në organizmin tone. Trupi dhe psike nuk jane dy njësi të ndara, dhe nëse duhet të ruajme trupin, le të kujdesemi edhe për psiken: të dyja bashkë rrisin mbrojtjen imunitare, kaq te  rendesishme përballë virusit.
Giovanni Boccaccio e dinte qe egzistonte një kurë për epidemitë në botë, që nuk rrezikon aspak masat e sigurisë shëndetesore dhe higjenës infektologjike dhe  është gjëja që të gjithë mund të bëjnë: aftësia për të krijuar  siguri brenda pasigurisë, të qendruarit komod brenda një zone tensioni, të qenit prezent për veten dhe për tjetrin.
Kështu flet “Dekameroni”:10 te rinj në provincën e Firences për t’i shpëtuar frikës së murtajës dhe karantinës në vitin 1348 tregojnë histori, mbi të gjitha histori dashurie.
Ky është quajtur ndryshe edhe “Efekti Dekameron”
Do të më pëlqente që facebook dhe rrjetet e tjera sociale të cilat janë kthyer në burime të fuqishmme informimi të mund “të pushtohen” nga histori dashurie.
Postoni momente te gëzuara dashurie në familje e shoqëri!
Këmbeni fjalë dashurie, shpërdani dashuri!
Dashuria ka efekt terapeutik dhe rrit imunitetin.
E nisa me Marquez-in dhe po e vazhdoj me Marquez-in:
“Po ta dija se sot eshte hera e fundit qe te shoh te dalesh nga porta.... ( me fal Marquez, po e korrigjoj pak) “...
Edhe pse e di se sot nuk është hera e fundit që të shoh të dalësh nga porta .... do të përqafoja, do të jepja një të puthur e do të thërrisja edhe njëherë për të dhënë një tjetër...
Zoti im!  Nuk do të lija të kalonte asnjë sekondë pa i thënë njerëzve që i dua. Do t’i thoja cdo burri e cdo gruaje se janë të përzgjedhurit e mi e do të jetoja i dashuruar me dashuri”

No comments:

Post a Comment