Rrefime terapeutike

 







ADLER dhe NIJINSKY

Vaclav Fomiç Nižinskij (1890–1950) ishte balerin dhe koreograf rus, i konsideruar si një nga balerinët më të talentuar të historisë. Kërcimet e tij sfidonin gravitetin dhe ai u quajt “balerini i Zotit”.
Pas një ezaurimi nervor në vitin 1919, karriera e Nijinskit përfundoi. U diagnostikua me skizofreni dhe u trajtua nga psikiatri Eugen Bleuler. Alfred Adler ishte një nga analistët që e trajtoi, ashtu si edhe Freud, Jung, Binswanger.

Analiza më poshtë është shkëputur nga shënime të A. Adler mbi Nijinskin, botuar në Revista e Psikologjisë Individuale, nr. 6, 1976:


“Kur vizitova Nijinskin dy vite më parë në klinikën psikiatrike, ai ishte i qetë, i ushqyer mirë dhe i interesuar për vizitorët e tij, por nuk tha asnjëherë asnjë fjalë. As gruaja e tij nuk ishte në gjendje ta bënte të fliste…
Kur më pyetën nëse mendoja të mundur shërimin e tij përmes Psikologjisë Individuale, nuk isha në gjendje të përgjigjesha.
Në rastet e skizofrenisë duhet krijuar një raport bashkëpunues, krijues, mes mjekut dhe pacientit. Ky raport duhet të kalojë përtej objektivave të shkencës, duke hyrë në art. Vetëm kështu bëhet e mundur të arrihen përmirësime, në më shumë raste sesa mendohet.
Pacienti skizofren është ‘mbrojtësi’ më i flaktë i jo–racionales: ai injoron logjikën e zakonshme dhe ndërton një logjikë të vetën, të ngritur mbi narcizizmin e frustruar.
Kështu ishte Nijinski…”


Kujtimi i parë i Nijinskit

“Kur isha fëmijë (6–7 vjeç), babai donte të më mësonte notin dhe më hodhi në ujë…
Nuk arrija të notoja, ndjeja se nuk merrja dot frymë. Mbajta frymën që kisha, mbylla gojën dhe mendova:
– Nëse Zoti do, unë do të shpëtoj.
Sipër meje nuk shihja dritë, vetëm ujë. Pashë një mur, ndjeva papritur të më përshkonte një energji fizike që nuk e dija nga erdhi, kërceva, u mbajta te muri… dhe shpëtova.”


Interpretimi i Adler-it

Për Adler-in, kujtimi i parë është prototipi i jetës së një individi.
Nga ky kujtim, Nijinski duket se na thotë:

Nuk mund t’i besosh kurrë babait.
Vetëm forca që është brenda teje mund të të shpëtojë.

Bota e Nijinskit ishte plot rreziqe. Në ditarin e tij ai shprehej:
“Kisha frikë nga jeta; edhe mamaja ime kishte frikë nga jeta; këtë frikë e kam trashëguar prej saj.”

Sipas Adler-it, një nënë dhe një baba që e dekurajojnë fëmijën ose mbjellin tek ai frikën për të ardhmen, i heqin besimin dhe i dobësojnë aftësinë për të qenë mirë me të tjerët.
Frika e Nijinskit nga një botë “e rrezikshme” u mposht nga një energji e jashtëzakonshme që vinte nga vetvetja. Kërcimi ishte shpëtimi i tij — si në kujtimin e parë, ashtu edhe në skenë. Pikërisht kjo aftësi për të kryer kërcime të paimagjinueshme i hapi dyert e Shkollës Mbretërore të Baletit.

Jean Cocteau, në një kritikë mbi baletin “Shpirti i trëndafilit”, shkruante për të:
“Është kaq patetik, kaq i përkulur, kaq i lartë, sa sfidon forcën e gravitetit dhe na lë një mbresë të pashpjegueshme.”

Pas vdekjes së tij, kërcimet e Nijinskit u bënë lajtmotiv i artit të tij — dhe ishte pikërisht kërcimi ai që i shpëtoi jetën në kujtimin e tij të parë.


Nga kujtimi te sëmundja

Pas frustrimeve të fëmijërisë, ai filloi të ndërtonte “kështjella në ajër”: një Unë ideal, i madhërishëm dhe i paprekshëm nga realiteti, gati i barabartë me Zotin. Në këtë udhëtim drejt perfeksionit dhe unicitetit, hipersensibiliteti, ndrojtja, padurimi u bënë shoqërues të përhershëm. Pesha e tyre rriti në nivele të larta tensionin emocional.

Një personalitet i tillë, përballë falimentimeve dhe vështirësive sociale, përfundon në një frikë të panatyrshme nga ambienti dhe nuk arrin të kuptojë logjikën e ngjarjeve. Kështu lind “prishja e marrëdhënieve” me realitetin, një stil jete i udhëhequr nga kështjellat në ajër të fëmijërisë. Kjo e shtyn më tej drejt jo-racionales, prish çdo urë komunikimi me të tjerët, duke folur në një gjuhë të pakapshme dhe duke krijuar një realitet ndryshe.

Për t’u bërë i ngjashëm me Zotin…


Shpresa sipas Adler-it

Adler e mbyll një shënim mbi pacientët e tij me këtë histori:
Kur e pyeti një pacient të shëruar se cila ishte arsyeja pse terapia kishte funksionuar pas shumë vitesh, pacienti iu përgjigj:
“Para ca kohësh u sëmura sepse kisha humbur çdo shpresë. Ishte pikërisht shpresa që ju më dhatë, ajo që më bëri të shërohesha.”


Ndryshimi i Nijinskit

Pas shumë opinioneve pesimiste mbi sëmundjen e tij, Nijinski ra thellë në delir dhe u bë agresiv.
Por në mars 1945 ndodhi një kthesë: ai u arratis nga klinika psikiatrike dhe takoi disa ushtarë që e njohën menjëherë. Në atë moment, Vaslavi dëgjoi të flitej gjuha mëmë — kjo bisedë shënoi çelësin e rikthimit. Ditët në vijim ai i pa sërish ushtarët, këndoi dhe vallëzoi me ta. Dukej më i qetë dhe më i lumtur.


Shënim personal

Me këtë material dua t’ju rikujtoj rëndësinë e kujtimeve të para si prototip i stilit të jetës — siç duket ishte edhe çelësi i rikthimit të Nijinskit — dhe fjalën e një pacienti të Adler-it: “Shpresa ishte ajo që më shëroi.”


Comments

Popular posts from this blog

OCD

Crregullimi Obsesivo- Compulsiv -(OCD)

Ankthi - Crregullimet