Wednesday, April 9, 2025
Studio Psikoterapie - Irena Hysenaj : A po Ndryshon Inteligjenca Artificiale Diagnostiki...
Në dekadat e
fundit, Inteligjenca Artificiale (IA) ka transformuar mënyrën se si ne i
perceptojmë dhe i trajtojmë problemet njerëzore në kontekste të ndryshme,
përfshirë edhe fushën e shëndetit mendor. Ajo që dikur shihej si pjesë e
shkencë-fantastikes, sot po materializohet në forma konkrete të ndërhyrjes në
diagnostikim dhe trajtim psikologjik. Me zhvillimin e teknologjive të mësuarit
të makinerive (machine learning), algoritmeve të të mësuarit të thellë (deep
learning) dhe përpunimit të gjuhës natyrore (natural language processing),
psikologët dhe profesionistët e shëndetit mendor po përballen me një paradigmë
të re të punës klinike – ku IA nuk është vetëm një mjet ndihmës, por
potencialisht një bashkë-ndërhyrës në procesin terapeutik (Luxton, 2016).
Përdorimi i
IA në psikologji shfaqet në dy drejtime të mëdha: psiko-diagnostikimi dhe
psikoterapia dixhitale. Në aspektin diagnostik, sistemet e automatizuara janë
të afta të analizojnë sasi të mëdha të dhënash të pacientëve – përfshirë
simptomat, historinë klinike dhe shënimet e seancave – për të identifikuar
modele që ndihmojnë në përcaktimin e saktë të çrregullimeve mendore (Reddy,
Allan, Coghlan, & Cooper, 2020). Ndërkohë, në terapinë psikologjike,
platforma si Woebot dhe Wysa ofrojnë mbështetje të strukturuar psikologjike
përmes ndërveprimeve të automatizuara, duke përdorur teknika të bazuara në
terapi kognitive të sjelljes dhe modele të tjera psikoterapeutike (Fitzpatrick,
Darcy, & Vierhile, 2017).
Një nga aplikimet më të përhapura është përdorimi i algoritmeve që
analizojnë të dhënat e pacientit – përfshirë pyetësorët e vetëraportuar, të
dhënat biometrike dhe regjistrimet audio/video të seancave – për të parashikuar
diagnoza të mundshme. Për shembull, studimet kanë treguar se algoritmet e të
mësuarit të thellë mund të identifikojnë shenja të depresionit dhe ankthit
përmes analizës së fjalorit të përdorur në bisedë, intonacionit të zërit apo
ritmit të të folurit (Fitzpatrick et al., 2017). Në disa raste, këto sisteme
kanë demonstruar një ndjeshmëri të krahasueshme apo më të lartë se
profesionistët në zbulimin e simptomave të fshehura ose të kamufluara nga
pacienti.
Për më tepër, platforma të
avancuara si IBM Watson Health kanë filluar të integrohen në praktikën klinike
për të ofruar “mbështetje inteligjente në vendimmarrje” (Reddy et al., 2020).
Këto platforma nuk zëvendësojnë psikologun, por ofrojnë një pasqyrë të bazuar
në prova dhe krahasime me mijëra raste të mëparshme, duke fuqizuar saktësinë e
vlerësimit.
Megjithatë, ka kufizime serioze që duhen marrë parasysh. Në thelb të
terapisë qëndron marrëdhënia terapeutike – një dimension që përfshin empatinë,
ndjeshmërinë, autenticitetin dhe ndërtimin e besimit. Inteligjenca artificiale,
për më të përparuar që të jetë, nuk mund të krijojë vërtet një lidhje
terapeutike që mbështetet në ndërsubjektivitetin dhe ndjeshmërinë e vërtetë
njerëzore. Chatbot-et nuk mund të kuptojnë emocionalisht situatat komplekse, as
të mbështesin klientët përmes ambivalencave psikodinamike ose momenteve të
transformimit emocional që ndodhin në kontaktin e gjallë me një tjetër njeri.
Një tjetër kufi është ndjeshmëria
kulturore dhe konteksti. Programet e IA zakonisht janë të ndërtuara mbi të
dhëna perëndimore dhe nuk marrin gjithmonë në konsideratë variacionet
kulturore, stilin e komunikimit ose sfondin psikologjik të përdoruesve nga
kultura të tjera (Luxton, 2016). Kjo mund të çojë në përgjigje të
papërshtatshme ose në moskuptime terapeutike.
Ankthi Ekzistencial dhe Ndikimi Psikologjik i Ndërveprimit me Inteligjencën Artificiale në Terapi dhe Dehumanizimi i Marrëdhënies Terapeutike.
Një nga burimet kryesore të ankthit ekzistencial në këtë kontekst është
perceptimi se klienti po hapet emocionalisht përballë një “makine” që nuk ka
ndjeshmëri, ndërgjegje, apo përjetim emocional. Edhe pse IA mund të simulojë
empatinë në nivel gjuhësor, përdoruesit shpesh përballen me ndjenjën se janë
vetëm, të ekspozuar para një entiteti të "ftohtë", të padukshëm dhe
të pandjeshëm. Kjo krijon një krizë autenticiteti, ku individi ndjen se
përjetimi i tij emocional nuk është vërtet i mirëpritur apo i përjetuar nga tjetri
në mënyrë reciproke (Bickmore & Picard, 2005).
Në psikoterapi tradicionale,
marrëdhënia terapeutike përbën një hapësirë ku individi mund të përjetohet dhe
të ndjehet nga një tjetër qenie njerëzore. Kjo marrëdhënie e vërtetë është
themelore për transformimin emocional dhe psikologjik. Ndërsa në rastin e
IA-së, veçanërisht kur klienti është i vetëdijshëm se po ndërvepron me një
sistem të automatizuar, shpesh humbet dimensioni i “ndërsubjektivitetit”, çka
mund të shkaktojë një ndjesi boshllëku ekzistencial.
Sistemet e IA-së që sugjerojnë diagnoza ose trajtime mund të ndikojnë
edhe në vetëkonceptimin e individit. Klientët mund të fillojnë të përshtatin
veten sipas përshkrimeve që merrnin nga algoritmi – edhe nëse këto nuk
përputhen plotësisht me përvojën e tyre të brendshme. Kjo mund të kufizojë
eksplorimin e lirë të vetes dhe të përforcojë etiketime të ngurta që nuk i
shërbejnë procesit të rritjes personale. Siç paralajmëron Luxton (2016),
ndërveprimi i gjatë me sistemet digjitale mund të ndërtojë një identitet të
ndikuar nga teknologjia, që jo gjithmonë pasqyron tërësinë e qenies njerëzore.
Ndikimi mbi Zhvillimin Personal dhe Liria e Brendshme
IA është projektuar të japë
përgjigje të shpejta, të saktësuara dhe të drejta. Por, në procesin terapeutik,
shpeshherë janë pyetjet – jo përgjigjet – që ndihmojnë individin të reflektojë,
të dyshojë, të kundërshtojë dhe të zhvillohet. Një IA që gjithmonë
"di" mund të ndërpresë këtë proçes të paqartësisë që në vetvete është
terapeutik. Ai mund të krijojë një marrëdhënie varësie ku klienti kërkon
gjithmonë konfirmim apo zgjidhje nga “sistemi i pagabueshëm”, duke e reduktuar
autonominë e brendshme.
Në këtë mënyrë, ndërveprimi me IA
në terapi përballet me një tension themelor: mes nevojës për siguri dhe nevojës
për liri, mes kërkesës për zgjidhje dhe dëshirës për kuptim.
Psikologjia e së ardhmes nuk duhet të jetë as e mbështetur vetëm në
teknologji, as thjesht nostaligjike ndaj metodave tradicionale. Ajo duhet të
ndërtojë një ekuilibër
të ri, ku:
- Teknologjia e inteligjencës
artificiale përdoret për të zgjeruar mundësitë dhe aksesin;
- Ndërsa ndjeshmëria,
marrëdhënia terapeutike dhe integriteti etik mbeten në qendër të
praktikës.
Vetëm kështu mund të garantojmë që
psikologjia të mbetet një shkencë dhe profesion që i shërben njeriut – jo një
sistem që thjesht e analizon atë.