Wednesday, September 6, 2023

Jazz & Psikoterapi

 


Kam pyetur veten shpesh: përse më pëlqen muzika Jazz?!!

Personat që më njohin pak, do të cuditeshin sesi një muzikë si Jazz-i, një kaos në dukje, një shpërthim instrumentash të ndryshëm që bëjnë zhurmë e rrëmujë do përfaqësonte një njeri si unë…

Por mua Jazz më magjeps, madje shumë.

Kujtoj herën time të parë në një koncert Jazz. Ka qenë viti 1997, një grup Black Jazz!

Instrumentistët që improvizojnë fillimisht njëri pas tjetrit, "për qejfin e vet”, “egoistikisht”, një lloj prezantimi imponues e narcistik: dikush lehtë e shtruar, dikush zhurmshëm e dikush dhimbshëm: një paradë instrumentash që të tërheqin nëpër labirinthe , ashtu sic u vjen, pa partitura, pa rregulla precise, lirisht, instiktivisht, crregullisht.

E ty te magjeps ky “rrefim" unik e i vecante.

E ti tërhiqesh që ta zbulosh këtë muzikë që vjen prej brendësisë së shpirtit ashtu sikurse të tërheqin rrëfimet në dhomën e terapisë (cfarëdo që të vjen në mendje, ashtu si të vjen në mendje). Pastaj muzika përshkallëzohet: një tjetër instrument, me një tjetër ritëm në parregullsinë e vet të rregullt.

Më pas instrumentet mbivendosen njëri mbi tjetrin; muzikantët me duart në instrument e me shqisat tek ajo që po ndodh aty, kërkojnë ritmin e ngjashëm, lidhjen ashtu sic ndodh me asociacionet e lira në zbërthimin e simbolikës së një ëndrre, në lidhjet mes përjetimeve të të tashmes me përjetime të forta të të kaluarës së hershme. Shpalosen dhimbja, gezimi, aventura, zhgënjimi, inati në një ngërthim të ashpër për tú dëgjuar e për tú ndjerë. Ngrihen gjithë demonët nga thellësia e të pandërgjegjshmes e lundrojnë ne ajër nën tingujt e muzikës. Një pështjellje emocionesh të pushton, ritme të ndryshëm që as

që e dije që mund të gjenin jehonë brenda teje, qënkan aty, bëjnë zhurmë brenda teje. Kjo gjë të tremb por dhe të pëlqen ashtu si kur ti njeh një pjesë të vetes që nuk e dije se të përkiste.

E kështu duke ndjekur këtë lojë muzikore ti zhytesh në këtë rrëmujë katharktike. Të ndryshmet konfliktuale shkrihen harmonikisht. Nje katharsis dhe një connection, një integrim i pjesezave kaq të ndrysme që i japin kuptim te plotës së integruar.


Një nevojë për shpërthim brënda një rregulli ashtu sikurse shpërthimi i nje pacienti në rregullin e dhomës së terapisë.

Ti ngrihesh nga karrigia, del nga salla e mbushur me ndjesinë e një clirimi pulsional dhe harmonik që koncerti Jazz ta dhuroi.

P.s Ndërsa përshkruaja këtë moment, imazhet e fjalët në mendjen

time lëviznin nga skena e koncertit Jazz tek dhoma e terapisë.

Ja përse më pëlqen kaq shumë Jazz-i mua...