Wednesday, April 9, 2025









A po Ndryshon Inteligjenca Artificiale Diagnostikimin dhe Psikoterapinë 






 

Në dekadat e fundit, Inteligjenca Artificiale (IA) ka transformuar mënyrën se si ne i perceptojmë dhe i trajtojmë problemet njerëzore në kontekste të ndryshme, përfshirë edhe fushën e shëndetit mendor. Ajo që dikur shihej si pjesë e shkencë-fantastikes, sot po materializohet në forma konkrete të ndërhyrjes në diagnostikim dhe trajtim psikologjik. Me zhvillimin e teknologjive të mësuarit të makinerive (machine learning), algoritmeve të të mësuarit të thellë (deep learning) dhe përpunimit të gjuhës natyrore (natural language processing), psikologët dhe profesionistët e shëndetit mendor po përballen me një paradigmë të re të punës klinike – ku IA nuk është vetëm një mjet ndihmës, por potencialisht një bashkë-ndërhyrës në procesin terapeutik (Luxton, 2016).

Përdorimi i IA në psikologji shfaqet në dy drejtime të mëdha: psiko-diagnostikimi dhe psikoterapia dixhitale. Në aspektin diagnostik, sistemet e automatizuara janë të afta të analizojnë sasi të mëdha të dhënash të pacientëve – përfshirë simptomat, historinë klinike dhe shënimet e seancave – për të identifikuar modele që ndihmojnë në përcaktimin e saktë të çrregullimeve mendore (Reddy, Allan, Coghlan, & Cooper, 2020). Ndërkohë, në terapinë psikologjike, platforma si Woebot dhe Wysa ofrojnë mbështetje të strukturuar psikologjike përmes ndërveprimeve të automatizuara, duke përdorur teknika të bazuara në terapi kognitive të sjelljes dhe modele të tjera psikoterapeutike (Fitzpatrick, Darcy, & Vierhile, 2017).

Një nga aplikimet më të përhapura është përdorimi i algoritmeve që analizojnë të dhënat e pacientit – përfshirë pyetësorët e vetëraportuar, të dhënat biometrike dhe regjistrimet audio/video të seancave – për të parashikuar diagnoza të mundshme. Për shembull, studimet kanë treguar se algoritmet e të mësuarit të thellë mund të identifikojnë shenja të depresionit dhe ankthit përmes analizës së fjalorit të përdorur në bisedë, intonacionit të zërit apo ritmit të të folurit (Fitzpatrick et al., 2017). Në disa raste, këto sisteme kanë demonstruar një ndjeshmëri të krahasueshme apo më të lartë se profesionistët në zbulimin e simptomave të fshehura ose të kamufluara nga pacienti.

Për më tepër, platforma të avancuara si IBM Watson Health kanë filluar të integrohen në praktikën klinike për të ofruar “mbështetje inteligjente në vendimmarrje” (Reddy et al., 2020). Këto platforma nuk zëvendësojnë psikologun, por ofrojnë një pasqyrë të bazuar në prova dhe krahasime me mijëra raste të mëparshme, duke fuqizuar saktësinë e vlerësimit.

Megjithatë, ka kufizime serioze që duhen marrë parasysh. Në thelb të terapisë qëndron marrëdhënia terapeutike – një dimension që përfshin empatinë, ndjeshmërinë, autenticitetin dhe ndërtimin e besimit. Inteligjenca artificiale, për më të përparuar që të jetë, nuk mund të krijojë vërtet një lidhje terapeutike që mbështetet në ndërsubjektivitetin dhe ndjeshmërinë e vërtetë njerëzore. Chatbot-et nuk mund të kuptojnë emocionalisht situatat komplekse, as të mbështesin klientët përmes ambivalencave psikodinamike ose momenteve të transformimit emocional që ndodhin në kontaktin e gjallë me një tjetër njeri.

Një tjetër kufi është ndjeshmëria kulturore dhe konteksti. Programet e IA zakonisht janë të ndërtuara mbi të dhëna perëndimore dhe nuk marrin gjithmonë në konsideratë variacionet kulturore, stilin e komunikimit ose sfondin psikologjik të përdoruesve nga kultura të tjera (Luxton, 2016). Kjo mund të çojë në përgjigje të papërshtatshme ose në moskuptime terapeutike.

Ankthi Ekzistencial dhe Ndikimi Psikologjik i Ndërveprimit me Inteligjencën Artificiale në Terapi dhe Dehumanizimi i Marrëdhënies Terapeutike. 

Një nga burimet kryesore të ankthit ekzistencial në këtë kontekst është perceptimi se klienti po hapet emocionalisht përballë një “makine” që nuk ka ndjeshmëri, ndërgjegje, apo përjetim emocional. Edhe pse IA mund të simulojë empatinë në nivel gjuhësor, përdoruesit shpesh përballen me ndjenjën se janë vetëm, të ekspozuar para një entiteti të "ftohtë", të padukshëm dhe të pandjeshëm. Kjo krijon një krizë autenticiteti, ku individi ndjen se përjetimi i tij emocional nuk është vërtet i mirëpritur apo i përjetuar nga tjetri në mënyrë reciproke (Bickmore & Picard, 2005).

Në psikoterapi tradicionale, marrëdhënia terapeutike përbën një hapësirë ku individi mund të përjetohet dhe të ndjehet nga një tjetër qenie njerëzore. Kjo marrëdhënie e vërtetë është themelore për transformimin emocional dhe psikologjik. Ndërsa në rastin e IA-së, veçanërisht kur klienti është i vetëdijshëm se po ndërvepron me një sistem të automatizuar, shpesh humbet dimensioni i “ndërsubjektivitetit”, çka mund të shkaktojë një ndjesi boshllëku ekzistencial.


Sistemet e IA-së që sugjerojnë diagnoza ose trajtime mund të ndikojnë edhe në vetëkonceptimin e individit. Klientët mund të fillojnë të përshtatin veten sipas përshkrimeve që merrnin nga algoritmi – edhe nëse këto nuk përputhen plotësisht me përvojën e tyre të brendshme. Kjo mund të kufizojë eksplorimin e lirë të vetes dhe të përforcojë etiketime të ngurta që nuk i shërbejnë procesit të rritjes personale. Siç paralajmëron Luxton (2016), ndërveprimi i gjatë me sistemet digjitale mund të ndërtojë një identitet të ndikuar nga teknologjia, që jo gjithmonë pasqyron tërësinë e qenies njerëzore.

Ndikimi mbi Zhvillimin Personal dhe Liria e Brendshme

IA është projektuar të japë përgjigje të shpejta, të saktësuara dhe të drejta. Por, në procesin terapeutik, shpeshherë janë pyetjet – jo përgjigjet – që ndihmojnë individin të reflektojë, të dyshojë, të kundërshtojë dhe të zhvillohet. Një IA që gjithmonë "di" mund të ndërpresë këtë proçes të paqartësisë që në vetvete është terapeutik. Ai mund të krijojë një marrëdhënie varësie ku klienti kërkon gjithmonë konfirmim apo zgjidhje nga “sistemi i pagabueshëm”, duke e reduktuar autonominë e brendshme.

Në këtë mënyrë, ndërveprimi me IA në terapi përballet me një tension themelor: mes nevojës për siguri dhe nevojës për liri, mes kërkesës për zgjidhje dhe dëshirës për kuptim.

Psikologjia e së ardhmes nuk duhet të jetë as e mbështetur vetëm në teknologji, as thjesht nostaligjike ndaj metodave tradicionale. Ajo duhet të ndërtojë një ekuilibër të ri, ku:

  • Teknologjia e inteligjencës artificiale përdoret për të zgjeruar mundësitë dhe aksesin;
  • Ndërsa ndjeshmëria, marrëdhënia terapeutike dhe integriteti etik mbeten në qendër të praktikës.

Vetëm kështu mund të garantojmë që psikologjia të mbetet një shkencë dhe profesion që i shërben njeriut – jo një sistem që thjesht e analizon atë.



No comments:

Post a Comment